Vetëm disa ditë pasi iu zbut masa e arrestit, Ilir Selmani, i dënuar me 26 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, është shoqëruar sot në Apelin e GJKKO për seancën e radhës për këtë çështje.
Por seanca që ishte planifikuar ditën e sotme, është shtyrë për në 7 korrik, pasi avokatët e Ilir Selmanit nuk kishin përgatitur konkluzionet. Po ashtu Selmanit iu pranua nga GJKKO kërkesa për ndryshim të vendbanimit për shkak të kushteve jo të mira ku ndodhet aktualisht.
Selmani i cili është shpallur fajtor nga GJKKO si pjesë e klanit “Duka” për vrasjen e Santiago Malkos, tashmë do të qëndrojë në banesën e tij, pasi Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.
Ndërsa të hënën në mbrëmje, pranë banesës së Selmanit, që ruhet nga policia, është arrestuar Emiliano Nina, i cili është kushëriri i ish-bosit të zhdukur të lojërave të Fatit, Ervis Martinaj.
Si ndodhi vrasja e policit Santiago Malko?
Vrasja e ish-policit ishte planifikuar nga një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qenë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlors për të hapur zjarr në drejtim të objektivit Malko.
Etja për të vrarë Santiago Malkon dhe për të mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi këtij personi, ka qenë e madhe, kjo pasi shihet qartë dhe hapur mobilizimi i klanit “Duka”, në logjistikë, në burime njerëzore dhe burime financiare.
Roli i Ilir Selmanit në vrasjen e Santiago Malkos, ka qenë bërja gati e automjetit me të cilin janë larguar pas ekzekutimit autorët dhe fshirja e gjurmëve të tjera të lëna në vendngjarje ndërkohë që pritej shënjestra
I udhëzuar nga Leonard Duka, Selmani ka kthyer makinën pasi kanë shënjestruar Malkon. Më pas Ilir Selmani shfaqet në disa video teksa mbledh bishtat e cigareve që kishte hedhur në tokë Blendi Teta, survejuesi i ish-policit.
