Paraditen e kësaj të mërkure, ashtu siç paralajmëruan një ditë më parë, protestuesit janë paraqitur pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku kanë dorëzuar simbolikisht librin“The Albanian Files”, të firmosur nga qytetarët gjatë protestës së zhvilluar të martën.
Gjatë tubimit të një dite më parë, protestuesit mblodhën firma në mbështetje të kësaj nisme, ndërsa njoftuan se krahas dorëzimit të librit, në ditët në vijim do të depozitojnë edhe një kallëzim penal pranë SPAK.
Një prej protestueseve u shpreh se dorëzimi i librit synon të nxisë nisjen e një hetimi mbi çështjet e ngritura në të.
“Simbolikisht do të dorëzojmë këtë libër për të nisur hetim dhe në ditët në vijim do të dorëzojmë edhe një kallëzim penal. Kërkesa e panegociueshme është dorëheqja e Edi Ramës, krijimi i një qeverie tranzitore dhe një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit”, deklaroi ajo.
Sipas organizatorëve, kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe kanë theksuar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, deri në përmbushjen e kësaj kërkese.
