Niko Konomi ndodhet në udhëkryq. Qytetari i lindur në Vlorë, por prej disa vitesh me një pasaportë amerikane kërkon të drejtën e tij që tashmë e ka referuar dhe Kongresit Amerikan për Pronat e Nënshtetasve Amerikanë jashtë Amerikës. Rasti i tij, siç ai e tregon, është vërtetë për të vënë duart në kokë. Trashëgimia e lënë nga gjyshi Thoma Konomi nuk është zbatuar dhe në këto kushte, Niko i është drejtuar gjykatave shqiptare.
Në një dokument të siguruar nga Newsbomb.al, ai kërkon nga organet ligjzbatuese në vendin tonë pronat e tij. Bëhet fjalë për disa toka në Dhërmi dhe Himarë ku pretendon se ka afro 50 dynym tokë. “I ndjeri gjyshi im Thoma Konomi në vitet 1935-1945, në reformën e parë agrare të vitit 1948 dhe Reformën e Dytë Agrare të vitit 1956 ka pasur në pronësi të tij në fshatin Dhërmi – Himarë Vlorë pasuri të konsiderueshme me emërtimin Dhraleo Kullot 12 dynym dhe Dhërmi – Gjilekë 36 dynym”, tregon Niko Konomi në faksimilen e siguruar të dërguar Kongresit Amerikan.
Periudha e komunizmit nuk u dha pronat e tyre, por familjes iu bë një reprezalje e madhe. Në vitin 1990, të gjithë menduan se gjithçka do të sistemohej në vendin e vet, por në fakt Niko tregon se ndodhi ndryshe. Përmes ligjit “Kthimi dhe Kompensimi i Pronave”, ata kërkuan t’i kthehej pasuria e tyre e patundshme duke shkuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave në Vlorë. Duke marrë një vërtetim se toka ishte e tyre, iu drejtuan më tej Gjykatës së Shkallës së Parë për vërtetim fakti, pikërisht për pronat e sipërpërmendura.
Duke menduar se gjyqet do të bëheshin sipas afatave të parashikuara nga ligji, familjës Konomi iu vërtetua në mënyrë taksative pronësia e të ndjerit Thoma Konomi. Në bazë të ligjit Nr 9235 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish pronarëve”, Niko Konomi me përfaqësuesit e vet ligjor kërkoi rivendosjen e në afat të drejtën për të paraqitur gjithë praktikën e dokumentacionit pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave Tiranë. Por, sipas tij nga viti 2015 e deri në 30 nëntor të vitit 2020, kjo dosje nuk u shqyrtua.
Ligji parashikon se procesi i shqyrtimit të dosjeve përfundon brenda 3 viteve. Por kanë kaluar 5 vite dhe në këtë mënyrë është thyer neni 34. Të gjendur para kësaj situate, familja Konomi ka tërhequr dosjen duke e çuar në Gjykatë me të paditur ATP Tiranë dhe disa institucione të tjera. Por, pikërisht në Gjykatën e Vlorë ka ndodhur e pabesueshmja. Sipas tij, pas disa seancash gjyqësore të zhvilluara, Gjykata ka mbyllur çështjen me arsyetimin se nuk “gjendet dosja”. E në këtë mënyrë është njoftuar prokurori i rrethit të Vlorës ku kanë nisur hetimet për humbjen e fakteve juridike.
Niko Komani pretendon se gjithçka është e stisur me synimin për t’i zënë tokat ku duan të ndërtojnë pallate. “Gjatë kësaj kohe kam shkuar në terren, në Himarë ku ndodhen tokat e gjyshit tim, 6 dynim, e emërtuar Larmishmja. Është pastruar dhe është përgatitur për të investuar aty nga njerëz të cilët bashkëpunojnë me zyrtarë të lartë shtetërore”, shprehet ai që tregon më tej se policia i ka premtuar se nuk do të lejojë ndërtime në atë zonë.
Duke humbur besimin në institucionet shtetërore, por edhe në organet gjyqësore, Niko Komani merr një hap tjetër të rëndësishëm. Ai zbulon se këtë çështje e ka referuar deri te ish presidenti Donald Trump dhe te Joe Biden, duke vënë në dispozicion gjitha dokumentet. Gjithashtu u ka shkruar dhe zyrtarëve të tjerë të lartë si Emanuel Macron dhe Olaf Scholz, si dhe presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen. “Kjo ishte e vetmja që m’u përgjigj”, thotë ai duke shtuar: “Më sugjeroi të prisja shkallët e gjyqësorit sipas legjislacionit shqiptar dhe më tej të shihnim mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi në gjykatën ndërkombëtare”.
Tashmë pritet të shihet se çdo të ndodhë me Prokurorinë e Vlorës që ka marrë në shqyrtim çështjen e humbjes së dosjes, ndërsa Niko Komani kërkon mbrojtje nga Ambasada Amerikane: “Më garantoni jetën dhe përfaqësuesit tim, i cili do të më ndihmojë me njohuritë juridike sepse ndihem i kërcënuar prej këtij pushteti. Më ka humbur besimi se çështja ime do të zgjidhet pa ndërhyrjen e menjëhershme tuajën”.