Albano Merkaj, një 39 vjeçar nga Vlora, është arrestuar nga shërbimet e Policisë në qytetin bregdetar, pasi nga hetimet ka rezultuar se një javë më parë ka djegur makinën personale të një polici, me iniciale D.P.
Mësohet se ky punonjës policie ka qenë pjesë e një grupi që në datë 2 Prill në qytetin e Vlorës, ka kapur në flagrancë shtetasin L.H, i cili kishte thyer masën e sigurisë "arrest shtëpie". Në shenjë hakmarrje, ai ka urdhëruar t'i digjej makina policit.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, është përfshirë dhe është dëmtuar edhe një automjet tjetër i markës “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit R. K.
Në vijim të veprimeve hetimore, është bërë identifikimi i porositësit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit L. H., 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili aktualisht ndodhet me masë sigurie “Arrest në burg”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me një operacion policor të datës 02.04.2026, gjatë të cilit shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja”, ndër të cilët ishte edhe punonjësi i Policisë D. P., kanë kapur në flagrancë shtetasin L. H., pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për implikimin e personave të tjerë të mundshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.
