Pasi rrjollorët zgjodhën t’iu bashkoheshin protestës në Tiranë, një pjesë e tokave në Rrjoll u rrethua menjëherë me tela për të vijuar me punimet për ndërtimin e resortit.
Ashtu siç raportoi dhe newsbomb.al paraditen e kësaj të marte, një pjesë e mirë e tokave në Rrjoll aktualisht është e rrethuar me tela me gjemba, për të cilën ka reaguar dhe rrjollorja e njohur tashmë, Luçiana Kokaj.
Në fjalën e mbajtur nga protesta e sotme poshtë zyrës së kryeministrit Rama, Kokaj e cilësoi veprimin në Rrjoll si pabesi ndërsa shtoi se asgjë nuk i ndal banorët për të kundërshtuar ndërtimet në një zonë të mbrojtur.
Fjala e Luçiana Kokaj: Rrjolli nuk është kundër investimeve dhe zhvillimeve por kundër grabitjes së pronave, është më se e qartë që Rrjolli është zonë e mbrojtur ndërkombëtarisht. Është një thirrje për Europën të shikojnë se çfarë po ndodh. Është zonë e rëndësishme sepse është pjesë e Konventave Ndërkombëtare dhe duhet t’i respektojnë.
Dje janë zgjuar rrjollorët në tokën e tyre me tel me gjemba, turp. Kërkohet largimi i kësaj klase poltike. I bëj thirrje të gjithëve që të hiqen telat me gjemba atje në Rrjoll. Ne nuk duam gjë tjetër përveçse shpëtimin e Rrjollit njëherë e mirë. Është momenti për të shpëtuar çdo qytet e vend të mbrojtur.

