Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Qytetari i çoi mesazh kryepolicit Skënder Hita, Policia zbulon 7446 rrënjë kanabisi: Urdhërohet hetim disiplinor e pezullim për Kryekomisarin dhe Nënkomisarët e Shkodrës

Shkruar nga Newsbomb
Qytetari i çoi mesazh kryepolicit Skënder Hita, Policia zbulon 7446
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor dhe pezullim nga detyra Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër, Shefin e Stacionit të Policisë Velipojë dhe Ndihmësspecialistin e Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët e kanabisit.

Mësohet se një qytetar i kishte dërguar informacion në e-mail Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për kultivimin e mijëra bimëve narkotike në fshatin Reç i Ri, Velipojë, në një territor të hapur, lehtësisht të verifikueshëm në zonë fushore.

Menjëherë u organizua puna për asgjësimin e tyre, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të kryer një hetim të thelluar administrativ. Për mangësi të konstatuara në mospërmbushjen e detyrave, filloi hetimi disiplinor për 5 punonjës policie, konkretisht për:

- Kryekomisar Bekim Lika, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Shkodër, për të cilin është vendosur pezullimi disiplinor nga detyra;

- Nënkomisar Zef Marku, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë, gjithashtu i pezulluar nga detyra;

- Inspektor Samet Kadroji, me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët narkotike, i pezulluar nga detyra.

Më tej, ka nisur hetimi disiplinor, pa pezullim nga detyra, për Nënkomisar D. N., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë dhe Inspektor E. I., me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë në Stacionin e Policisë Velipojë, të dy pjesë e grupit të kontrollit të territorit.

Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe çdo forme të paligjshmërisë është prioritet i Policisë së Shtetit.

"Çdo rast do të trajtohet me vendosmëri maksimale dhe pa asnjë kompromis, si ndaj autorëve të veprave penale, ashtu dhe ndaj çdo punonjësi policie që nuk përmbush detyrimet ligjore apo abuzon me detyrën", njofton Policia.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese