Në “sagën” e famshme Veliaj-Dado, ka zhvillime të reja. Kjo sepse në procesin e nisur prej kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ku ai vendos në pikëpyetje ligjshmërinë e emërimit të prokurorit të SPAK, Ols Dado, është bashkuar edhe shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”.
Shoqëria e sipërpërmedur i është drejtuar Gjykatës Administrative me një kërkesë për t’u pranuar si ndërhyrëse në këtë proces të nisur tashmë prej Veliajt.
Në një kërkesë të dorëzuar, dhe tashmë shqyrtuar nga gjyqtari Hazbi Balliu, shoqata argumenton: “Çështja nuk ka vetëm karakter individual, por prek drejtpërdrejt integritetin e sistemit të drejtësisë dhe mënyrën e ushtrimit të funksioneve të prokurorisë në Shqipëri”.
Duke shtuar më tej se nëse do të provohej se emërimi i Ols Dados është kryer në kundërshtim me ligjin, atëherë pasojat nuk do të kufizoheshin vetëm te statusi i tij personal, por mund të prekin edhe vlefshmërinë e procedimeve ku ai ka marrë pjesë si prokuror.
Shoqata e lidh interesin e saj edhe me rolin e prokurorit në hetime të rëndësishme, përfshirë dosjen e “21 Janarit”. Për më tej në kërkesën e bërë theksohet se cilido dyshim mbi ligjshmërinë e statusit të një prokurori, i cili në fakt ka trajtuar çështje të rëndësishme publike, ka një peshë të madhe institucionale.
Në konkluzion të kërkesës, shpqata shprehet se kërkon që “Administrativja” duhet të pranojë pjesëmarrjen e saj në proces.
Kujtojmë se Veliaj ka kërkuar nga togat e zeza që të rrëzojnë një Dekret të Presidentit të Republikës, të vitit 2008, i cili e ka bërë atë Prokuror.
