Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka mbërritur në orët e para të mbrëmjes së sotme në QSUT duke vizituar zjarrfikësit dhe qytetarët e lënduar nga zjarri që përfshiu pallatin në kompleksin “Arlis” në Tiranë.
Ministri tha se të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe theksoi se ka ndjekur situatën që nga momentet e para, duke qenë i pranishëm në vendngjarje.
“Isha në QSUT për të parë nga afër gjendjen e 6 efektivëve zjarrfikës dhe dy qytetarëve të lënduar. Fatmirësisht, sipas mjekëve, ata janë jashtë rrezikut për jetën. Që prej fillimit të zjarrit kam qenë në terren me forcat e Shërbimit Zjarrfikës, Policisë së Shtetit dhe skuadrat e Emergjencave Civile, të cilat bënë gjithçka të nevojshme për të shmangur humbje në jetë njerëzish,” u shpreh Lamallari.
Sipas të dhënave deri më tani, dyshohet se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të ngjarjes vijojnë.
Flakët shkaktuan panik në zonë, dhe forcat e emergjencës janë ende në terren duke kryer evakuime. Më herët, Prefekti i Tiranës, Shkëqlim Hajdari, konfirmoi se zjarri është vënë nën kontroll dhe se të gjitha strukturat përkatëse ndodhen në vendngjarje.


