Enkelet Avduli dhe Sadik Kasa, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik drogë, kanë rënë në pranga ditën e sotme në Durrës.
Ka qenë 46 vjeçari Enkelet Avduli ai i cili u kap teksa lëvizte me automjet në aksin rrugor “Rrogozhinë-Peqin”, ai mësohet se është dënuar nga Gjykata e Apelit të Bolonjës me 7 vite e 5 muaj burgim, për veprat penale, trafikim i lëndëve narkotike , armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Ndërsa Sadik Kasa, u kap në fjsatin Sukth i Ri, pasi autoritetet gjyqësore në Madrid i kanë caktuar masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale", me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike.
Interpol Tirana, vijon procedurat për ekstradimin e tyre.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, me partnerët ndërkombëtarë në Itali dhe në Spanjë, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, për disa vepra penale, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me shërbimet e komisariateve të Policisë Shijak dhe Kavajë, finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin, shtetasit:
-Enkelet Avduli, 46 vjeç, i cili u kap teksa lëvizte me automjet, në aksin rrugor “Rrogozhinë–Peqin”, pasi Gjykata e Apelit e Bolonjës, Itali, e ka dënuar me 7 vjet, 5 muaj dhe 9 ditë burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kanosje
-S. K., 38 vjeç, i cili u kap në fshatin Sukth i Ri, pasi autoritetet gjyqësore në Madrid i kanë caktuar masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale", me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.
