Është ekstraduar ditën e sotme nga Italia i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, shtetasi Aleks Ndreka, lezhjani i njohur si “Leksi i druve”.
Arratia e Aleks Ndrekës mori fund në qershorin e 2024 pasi policia italiane i vuri prangat në aeroportin e Malpensas në Milano. Arrestimi i tij u realizua më 7 qershor dhe prej asaj dite autoritetet shqiptare dhe ato italiane kanë bashkëpunuar për realizimin e ekstradimit të tij drejt Shqipëirsë, e cila u mundësua ditën e sotme.
I njohur me nofkën “Leksi i Druve”, Aleks Ndreka është emër goxha i njohur në botën e mafias shqiptare. Kjo për shkak të dyshimeve të ngritura nga ish-deputeti socialist, Arben Ndoka i cili pretendon se “Leksi i Druve” ka gisht në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka.
Sipas Arben Ndokës, Ndreka në bashkëpunim me biznesmenin e ndjerë, Ardian Nikulaj kanë mundësuar futjen e vrasësit me pagesë në Shqipëri, Durim Bami, i cili ekzektuoi vëllain e ish-deputetit, Aleksandër Ndokën.
Policia ka konfirmuar se Aleks Ndreka është personi që siguroi kushtet për vrasjen e Aleksandër Ndokës, ngjarje e endodhur në dhjetorin e 2017 në qytetin e Lezhës.
“Siguroi kushtet për vrasjen e tre shtetasve shqiptarë, në vitin 2017, ekstradohet nga Italia, 49-vjeçari” thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu Ndreka ka qenë i shpallur në kërkim dhe për dosjen e bujshme "Metamorfoza” për të cilën ndaj tij ka qenë caktuar masa e sigurisë "arrest në burg" në mungesë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje.
Kujtojmë se pas dojse së siguruar nga Franca për çështjen “Metamorfoza”,më 23 korrik 2023 GJKKO me kërkesë të SPAK firmosi 15 urdhërarreste duke zbuluar grupin e strukturuar krimilal pjesë e të cilës ishte dhe biznesmeni shkodran Pëllumb Gjoka. Mes të arrestuarve ishin Pëllumb Gjoka, Edmond Preka, Ardit Hasanbegaj, Astmer Bilali, ish shefi i operacionales, Oltion Bistri dhe ish prokurori i Kukësit Xhevahir Lita, kurse në kërkim u shpallën Aleks Ndreka, Behar Bajri, Ervis Martinaj, Elion Hato, Denis Brajoviç, Bardhyl Mavraj.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit/Vijon si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, operacioni i koduar “The Wanted”.
Siguroi kushtet për vrasjen e tre shtetasve shqiptarë, në vitin 2017, ekstradohet nga Italia, 49-vjeçari.
Në vijim të koordinimit të veprimeve operacionale, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit A. N. alias A. D., 49 vjeç.
49-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi A. N. alias A. D. akuzohet se pasi ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e 3 shtetasve shqiptarë, ka organizuar dhe ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre.
