Ikona e muzikës shqiptare Aurela Gaçe ka reaguar sërish ditën e sotme në lidhje me situatën aktuale në Shqipëri, ku mijëra qytetarë protestojnë për ndryshim të klasës politike.
Mëngjesin e kësaj të diele, artistja është kthyer pas në kohë duke kujtuar këngën e saj të titulluar “Tranzit”, e cila flet për dëshirën për të jetuar në vendlindje, por pamundësia për të pasur jetesë të mirë, të detyron që të marrësh vendimin për emigrim.
Duke postuar një pjesë të këngës “Tranzit” e cila është shkruar para 16 vitesh, artistja kujton se ka qenë në pritje të ëmbël me vajzën e saj gjatë xhirimeve të këtij projekti muzikor. Ndërsa thekson se edhe kur ajo të mos jetë më fizikisht pjesë e muzikës, ka lënë pas qindra projekte të saj të ideuara nga ajo vetë.
“ Tranzit , u shkrua 16 vjet më parë! Këngët nuk krijohen vetëm për të "kapur tregun" ose "trendin" por unë prapë I bëj, edhe pse më marrin një vit e më shumë t’i realizoj. A e dini pse?
Ka nga ato që duket sikur flet me veten , që as i dëgjon njeri për momentin ( e di shumë mirë) por duke qenë të dala nga shpirti, qëndrojnë me ty deri në fund! Isha në pritjen e fëmijës së parë teksa e xhiroja .
E kisha të rëndësishme të isha bashkë me vajzën ( paçka se brenda barkut e paçka se mezi ecja pasi isha vetëm dy ditë përpara ardhjes në jetë të saj). Kur të mos jem më pjesë e muzikës fizikisht, të paktën e di që kam lënë gjurmën time bio, bruto, neto , reale” shkruan Gaçe në postimin e saj.
Reagimi i artistes vjen një ditë pasi këngëtarja reagoi në lidhje me thirrje për bojkotimin e koncerteve të saj me idenë se ajo nuk është parë në mesin e protestuesve në ditët kur mijëra qytetarë janë ngritur kundër investimeve amerikane e klasës politike.
Në reagimin e djeshëm artisja theksoi se është krah protestuesve, duke evidentuar edhe datat që ka qenë në protestë, sikurse në fund e mbyll duke treguar dilemën për të ardhmen e fëmijëve të saj.
Pjesë e këngës “Tranzit”:
Kudo ku ulem, ndodhem, flitet politikë. Të ndez televizorin në mëngjes, unë kam frikë.
Ka shumë vrerë e sharje por boll ky vend u lodh, nuk mund të vazhdojë kështu, njësoj nuk mund të ndodhë. E bukur do të ishte, të zgjohesha me këngë.
T’i thosha “PO” fëmijës, do rritesh në këtë vend. Por një dhimbje kam, e kam e do ta them, të ardhmen larg këtij vendi, ne kërkojmë ta gjejmë.
E unë jam tranzit, dyjëzuar unë... të rri? Të ik? Trazuar unë me shpresë e frikë, mes botëve unë...vij... e ik.
E klitha unë ej ejjj, O toka ime ej ejjjj. Sa shumë mundime.
Sa herë jam larg, mendoj të vij, por sa herë jam këtu, largohesh ti.
Ku ka elitë s’dëgjohet shqip, ndihem e huaj në vendin tim.
Por kjo nuk është kulturë, o zotërinj elitë, e në dreq të shkoni ju, të gjithë o hipokritë. Unë nuk shes moral e fjalë, se si ju u rrita, e dua vendin tim, prandaj fort bërtita.
Postimi i Aurela Gaçes:

