Teksa vijon të mbahet seanca gjyqësore për të arrestuarit e protestës së dhunshme të 2 korrikut, mësohet se njëri prej tyre është ndjerë keq.
Burime për mediat bëjnë me dije se Niko Qarkaj, i cili vuan nga epilepsia, ka shfaqur probleme shëndetësore, ndaj një autoambulancë ka hyrë me shpejtësi në oborrin e gjykatës. Ndërsa pritet që ai të transportohet me autoambulancë në spital për të marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor.
Siç kemi raportuar dhe më parë, arrestimi i Niko Qarkajt prej protestës të së enjtjes është vënë në qendër të vëmendjes për shkak të problemeve të tij shëndetësore.
Ndërkohë me dhjetëra qytetarë gjenden para Gjykatës së Tiranës, që janë mbledhur mëngjesin e sotëm në mbështetje të qytetarëve të arrestuar, për të cilët kërkojnë lirimin e tyre.
Qarkaj vuan nga epilepsia, sëmundje të cilën e ka shfaqur edhe në ambientet e paraburgimit ku ai mbahet i izoluar deri në daljen në gjyq për masën e sigurisë.
Po ashtu, gjatë seancës së sotme raportohet që ai të ketë pasur probleme shëndetësore. Ndërsa bëhet me dije se te Gjykata e Tiranës ka mbërritur menjëherë ambulanca.
Pritet të dalin detaje të reja në vijm.
Kujtojmë se protestuesit e arrestuar janë në akuzë për 7 vepra penale, shkatërrim prone, kundërshtim i punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje e rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të policisë dhe pengim i qarkullimit të mjeteve.

