GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Sajmir Kolaverin, i akuzuar si një nga organizatorët e rrëmbimit dhe vrasjes së Klevis Lleshit në 2020 në Burrel.
Kolaveri akuzohet për veprat penale “vrasje për gjakmarrje”, “fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “organizata kriminale”.
Po ashtu, bëhet me dije se Kolaveri është i afërm i Aurel Hoxhës alias Aurelinjo Kolaverit, i cili prej 6 vitesh sot e kësaj dite është në kërkim pasi dyshohet se është urdhëruesi i vrasjes së Klevis Lleshit.
Gjatë seancës gjyqësore, Sajmir Kolaveri nuk i ka pranuar akuzat e prokurorisë, ndërsa ka pretenduar se nuk ka lidhje me ngjarjen.
Është ekstraduar nga Italia Sajmir Kolaveri pasi ishte shpalllur në kërkim nga GJKKO, si ndihmës në vrasjen e Klevis Lleshit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020.
Kolaveri dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë për vrasjen e 22-vjeçarit, dhe më pas për transportimin dhe varrosjen e kufomës, në fshatin Shpërdhet, Mamurras.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar Kolaverit masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal'' dhe ''Kryerja e veprave penale nga organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal''.
Pas zbardhjes që i bëri SPAK ngjarjes, ranë në pranga 3 persona, dhe u shpall në kërkim porositësi. Në pranga kanë rënë Sabah Nuzi, vrasësi i cili është paguar nga porositësi Aurel Hoxha 50 mijë euro për eliminimin e 22-vjeçarit, Samet Loka dhe Sajmir Kolaveri, i cili dyshohet se ka pasur rolin e ndërmjetësit dhe ndihmësit në vrasje.
Aurel Hoxha është i njohur ndryshe si, Aurelinjo Kalaveri, dhe urdhëroi vrasjen e Klevis Lleshit, si një formë hakmarrje ndaj vrasjes së vëllait të tij në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012 nga Arben lleshi, kushëri i Klevisit.
Arben Lleshi vrau Agim Hoxhën, vëllain e Aurel Hoxhës, dhe më pas ia dogji trupin në makinë. Një vit më pas, më 30 tetor 2013, u vra Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i tij, Hajredin Lleshi.
Pasi Klevis Lleshi u vra, trupin ia zhdukën në fshatin Shërdhet të Kurbinit, kurse eshtrat iu gjetën 2 vite e gjysmë më vonë nga banorët e zonës, kurse Arben Lleshi, në 2023-shin, po vuante dënimin kur u vra prej Sokol Mjacaj.

