Një alarm për lëndë plasëse të vënë poshtë një automjeti ka ngritur në këmbë policinë e Vlorës. Një qytetar ka njoftuar me urgjencë blutë e qytetit, pasi ka dyshuar se poshtë automjetit të tij mund të ishte vendosur një sasi lëndë plasëse.
Sipas informacioneve paraprake, forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë, me qëllim shmangien e çdo rreziku të mundshëm për banorët dhe kalimtarët e zonës.
Ndërkohë, ekspertët xhenierë në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, kanë nisur kontrollet dhe verifikimet e detajuara në automjetin e dyshuar.
Burime policore bëjnë me dije se deri në këto momente nuk është konstatuar asnjë objekt i dyshimtë apo lëndë plasëse.
Megjithatë, kontrollet po vijojnë me kujdes të shtuar për të përjashtuar çdo dyshim dhe për të garantuar sigurinë e plotë në zonë.
