Protestat kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec po përhapen në të gjithë vendin, ku mijëra pjesëmarrës janë mbledhur nëpër qytete.
Përveç Tiranës, ku protesta ka hyrë në ditën e saj të shtatë qytetarë janë mbledhur këtë të shtunë edhe në Fier, duke mbajtur pankarta nëpër duar.
Tubimi nisi me thirrjen “Çohuni nga kafja”, ndërsa protestuesit u mblodhën në qendër të qytetit për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit.
Gjatë protestës, qytetarët i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama që të përballet me qytetarët e revoltuar.
Edhe në Elbasan, qytetarët janë mbledhur këtë të shtunë në ditën e dytë radhazi kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Një ditë më parë pjesëmarrja ishte më e ulët, ndërsa sot numri i protestuesve është rritur ndjeshëm.
Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë mbledhur edhe në Shkodër për të kundërshtuar projektin.
Protestuesit kanë nisur marshimin nga Kisha e Madhe në lagjen Gjuhadol, me destinacion përfundimtar Bashkinë e Shkodrës.



