Një përplasje mes policisë dhe një personi të shpallur në kërkim ka ndodhur në orët e vona të së shtunës në Ksamil.
Sipas informacioneve paraprake, agjentët e Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë ndërmarrë një operacion për kapjen e një personi të kërkuar.
Gjatë ndjekjes, i dyshuari ka përplasur automjetin e tij me mjetin e policisë, ku ndodheshin efektivët dhe më pas ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas ngjarjes, në zonë janë angazhuar forca të shumta policore, të mbështetura edhe nga FNSH, të cilat kanë vijuar operacionin për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Pas disa orësh kërkime intensive, personi në kërkim është lokalizuar dhe arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas burimeve, personi i arrestuar është nga Elbasani, identiteti i tij nuk është bërë ende publik nga autoritetet. Ai është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale dhe rezulton i kërkuar nga SPAK.
