Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka bastisur gjatë ditës së djeshme, 26 Janar, zyrat dhe shtëpitë e tre drejtorëve të rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës. Prej orëve të para të mëngjesit, sapo orari zyrtar ka nisur, agjentët kanë zbarkuar në disa drejtori me urdhrin e SPAK në dorë.
Fillimisht, është kryer kontroll në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ku janë sekuestruar një sërë dokumentesh. Kjo drejtori prej disa ditësh drejtohet nga Ilda Qazimllari, e cila u emërua në këtë post fill pas arrestimit të Taulant Tushës.
Mirëpo, siç mësohet, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk janë mjaftuar vetëm me kontrollet dhe sekuestrimet në zyrën e drejtoreshës së sapoemërua nga Erion Veliaj. Në mbrëmje, ata kanë bastisur dhe shtëpinë e Qazimllarit.
Erion Veliaj dhe Ilda Qazimllari - 2016
Newsbomb.al mëson se kontrolle janë zhvilluar dhe në zyrat dhe shtëpinë e drejtorit tjetër, Henrik Hysenbegasi, i cili sipas deklarimeve është Drejtor i Menaxhimit të Investimeve të Huaja, Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, në Bashkinë e Tiranës.
Bashkë me Taulant Tushën që sot ndodhet pas hekurave me akuzë zyrtare nga SPAK për inceneratorin fantazmë të Tiranës, Henrik Hysenbegasi cilësohet gjithashtu si një ndër njerëzit më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Raportohet se drejtorëve të Erion Veliaj u janë sekuestruar veç dokumenteve dhe materialeve të tjera shkresore, edhe kompjuterat.
Erion Veliaj ne Emirate me dy drejtoret, Taulant Tusha dhe Henrik Hysenbegasi/ © Credits Photo CNA Media
Sakaq, newsbomb.al ka mësuar se këto kontrolle dhe bastisje janë kryer në të njëjtën kohë dhe në shtëpinë e Arben Kaçorrit. Edhe ky shtetas mban postin e drejtorit në Bashkinë e Tiranës dhe nyja lidhëse mes tij Ilda Qazimllarit dhe Henrik Hysenbegasi është hetimi për inceneratorine Tiranës.
Një sërë zyrtarësh janë arrestuar për këtë impiant fantazmë që ka marrë miliarda lekë nga taksat e qytetarëve, por që në realitet nuk ekziston. Taulant Tusha, ish-drejtor i Shërbimeve Publike është zyrtari më i lartë i Bashkisë së Tiranës i arrestuar nga Prokuroria e Posaçme.
Lexo edhe: Me urdhër të SPAK, hetuesit “mësyjnë” në Bashkinë e Tiranë dhe sekuestrojnë dokumente
