Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) do të vendosë inteligjencën artificiale për të luftuar abuzimin e mediave sociale drejtuar 15,000 atletëve dhe zyrtarëve gjatë Olimpiadës së Parisit muajin e ardhshëm. Me Lojërat që do të fillojnë më 26 korrik, më shumë se 10,500 atletë do të garojnë në 32 sporte, duke gjeneruar mbi gjysmë miliardë angazhime në mediat sociale.
Në një njoftim të publikuar këtë të premte nga Presidenti i IOC, Thomas Bach, sistemi i Inteligjencës Artificiale synon të mbrojë atletët duke monitoruar dhe fshirë automatikisht postimet abuzive për të ofruar mbrojtje të gjerë kundër abuzimit kibernetik.
Kjo nismë vjen në mes të konflikteve të vazhdueshme globale, duke përfshirë luftërat në Ukrainë dhe Gaza, të cilat tashmë kanë çuar në raste abuzimi në mediat sociale.
Sportistët rusë dhe bjellorusë, të cilët do të garojnë si atletë neutralë pa flamujt e tyre kombëtarë, janë përfshirë në masat mbrojtëse. IOC nuk specifikoi nivelin e aksesit që duhet të japin atletët për monitorimin e IA .
Pavarësisht zhvillimeve të fundit politike në Francë , përfshirë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të thirrura nga Presidenti Emmanuel Macron, Bach siguroi se përgatitjet për Olimpiadën mbeten në rrugën e duhur. Ai theksoi se si qeveria ashtu edhe opozita janë të vendosura që Franca të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshme gjatë këtyre Lojërave.