Sali Berisha ka mbledhur këtë të enjte krerët e Degëve të PD nga gjithë Shqipëria, për t’ju dhënë atyre mesazhin se duhet të jenë të mobilizuar, pasi siç tha, koha po thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij.
“Demokratët duhet të jenë të gatshëm në çdo kohë për protesta të fuqishme para Parlamentit. Degët e Tiranës duhet ta kenë të qartë se protesta para Parlamentit duhet të jetë e gatshme në çdo kohë, se Parlamenti nuk mund të funksionojë si një klub i Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Më tej, ai tha se PD e drejtuar prej tij ka nisur betejën në Parlament, më 11 shkurt është thirrur protesta, më 14 maj mbahen zgjedhjet lokale, dhe kjo është faza përfundimtare e largimit të Edi Ramës nga pushtetit.
Pjesë nga deklarata e Sali Berishës:
Ne kemi nis betejën në Parlament, kemi thirr protestën më datën 11, hyjmë në një fazë përfundimtare të largimit të Edi Ramës nga pushteti. Ne, do të gërshetojmë dhe kombinojmë të gjitha format e përpjekjeve në këtë betejë, revoltata në sheshe, rrugë, institucione dhe kudo.
Qëndresën në Parlament, hetimin parlamentar, koha thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij. Ora më e rëndësishme në misionin tonë. Ndërkohë, ne nuk shmangim, përkundrazi bashkërendojmë dhe bëjmë çdo përpjekje për 14 majin, si një ditë fitoreje për kandidatët tanë.
Në pamje të parë është komplekse, por misioni kërkon të gjitha këto. Misioni kërkon që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet për një sukses të vërtetë të PD më 14 maj, për largimin e Edi Ramës dhe votën e lirë të shqiptarëve. Pra, detyrë jo e lehtë, por absolutisht e realizueshme.
Koha është krejt tjetër, koha ka ndryshuar. Jo vetëm protesta e planifikuar që duhet të ketë përgjigjen më maksimale më datën 11 shkurt, duhet të mobilizohet çdo demokrate dhe demokrat, duhet të mobilizohet si asnjëherë më parë për protestën në Tiranë, Tirana gjithashtu, duhet të derdhet e tëra në shesh, Shqipëria të vërshojë drejt Tiranës.
Ne jemi në revoltë, në protestë. Ky është revolucion. Shqiptarët duhet ta dinë se Parlamenti shqiptar sot është më i cunguar se kurrë, shkelet kushtetuta çdo ditë, vendoset me urdhrat banditeske të Edi Ramës çdo ditë. Ne jemi të vendosur të mos e braktisim atë kurrë.
Demokratët duhet të jenë të gatshëm në çdo kohë për protesta të fuqishme para Parlamentit. Degët e Tiranës duhet ta kenë të qartë se protesta para Parlamentit duhet të jetë e gatshme në çdo kohë, se Parlamenti nuk mund të funksionojë si një klub i Edi Ramës.