
E diel e zezë kjo për Maqedoninë e Veriut! Rreth orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme 59 të rinj humbën jetën tragjikisht. Klubi i natës “Puls”, ku dhe ata ishin duke festuar mori zjarr dhe si pasojë fatkeqësish humbën jetën 59 të rinj përkatësisht të moshave nga 14 deri në 25 vjeç si dhe mbetën të plagosur rreth 155 të tjerë.
Ashtu sikurse njoftuam dhe më herët klubi i natës ku dhe ndodheshin mbi 1500 pjesëmarrës u përfshi nga flakët. Shkak deri më tani dyshohet të jenë bërë mjetet piroteknike të vendosura në skenë të cilat sollën zjarrin e frikshëm i cili u përhap me shpejtësi në të gjithë tavanin.

Si pasojë dhjetëra të rinj humbën jetën, ndërkohë deri më tani është bërë i mundur identifikimi i 35 prej tyre. Ndërkohë, të plagosur mbetën dhjetëra të tjerë, ku disa janë duke marrë mjekim në klinikat e Shkupit, ndërsa disa të tjerë raportohet të jenë nisur drejt Selanikut për mjekim më të specializuar duke qenë se gjendja e tyre shëndetësore fatkeqësisht është më e rëndë.

Një reagim ka ardhur së fundmi edhe nga Ministria e shëndetësisë të cilët përmes një njoftimi zyrtar kanë bërë me dije se po punojnë për transportimin e të plagosurve në spitalet e vendeve përreth. Mësohet se pacientët do të transportohen drejt Bullgarisë, Serbisë dhe Turqisë për të marrë trajtim më të specializuar.
Ndërkohë, nga ana tjetër Prokuroria ka njoftuar se ka formuar një ekip prokurorësh, përfshirë pesë prokurorë nga Koçani, Shtipi dhe Shkupi, të cilët janë duke udhëhequr hetimet për këtë ngjarje tragjike, në bashkëpunim me shërbimet e tjera kompetente.

Në një deklaratë për mediat, ministri Toshkovski tha se në koordinim me Prokurorinë kanë më shumë se 20 persona të dyshuar rreth kësaj ngjarje tragjike e cila ka shkaktuar një plagë të madhe në Maqedoninë e Veriut.
Sakaq, pasditen e kësaj të diele është bërë e mundur nxjerra e të gjitha trupave nga diskoteka e djegur. Ndërkohë, që autoritetet po punojnë për identifikimin e tyre, familjarët e të rinjve po përdorin rrjetet sociale për të kërkuar fëmijët e tyre.
Në mesin e viktimave mësohet të kenë qenë edhe anëtarët e grupit DNK. Filip Stefanovski, Gjorgi Gjorgiev, Sara Projkovska dhe Andrej Gjorgievski 4 anëtarët e grupit muzikor DNK si dhe fotografi i grupit Aleksandar Efremov fatkeqësisht nuk arritën që të dilnin jashtë.
NORTH MACEDONIA FIRE UPDATE: At least 50 people have been killed in a fire at the Pulse nightclub in Kocani, North Macedonia, according to the country's interior ministry. The fire erupted around 3:00 AM Sunday during a performance by hip-hop duo ADN, with eyewitness video… pic.twitter.com/kg5ln6JW4o
— The Risk Intelligence Group (@riskintelgroup) March 16, 2025
Mediat vendase bëjnë me dije se klubi i natës “Puls” ka pasur dy hyrje dalje, një kryesore, ndërsa një të cilin e kanë përdorur stafi dhe personat vip. Ky klub mësohet se ka funksionuar me licencë të falsifikuar e cila mbante firmën e ish-sekretares shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Razmena Çekiç Duroviq. Klubi i natës Puls në këtë hapësirë mendohet se funksionon nga viti 2016.