Lideri demokrat Sali Berisha ka dalë me një sqarim zyrtar në lidhje me protestën qytetare që po zhvillohet prej tetë ditësh në Tiranë, ku kërkohet tërheqja e projektit për Zvërnecin, largimi i Edi Ramës dhe nuk kanë munguar edhe thirrjet për ikjen e Berishës gjithashtu nga drejtimi i opozitës.
Nisur nga shkrimet dhe komentet e mediave për qëndrimet e Partisë Demokratike ndaj protestës së fuqishme rinore e qytetare, Sali Berisha thotë se Partia Demokratike nuk u ka kërkuar asnjëherë anëtarëve dhe mbështetësve të saj që të mos e mbështesin apo të mos shkojnë në protestë, pavarësisht disa thirrjeve kundër vetë asaj.
"Partia Demokratike është forca kryesore politike opozitare që këto vitet e fundit ka qëndruar fuqishëm dhe ka paguar çmimin më të lartë në përballjen me narkoregjimin e Edi Ramës, këtij "Pashiqi" shqipfolës – por edhe me mbështetësit ndërkombëtarë të regjimit të tij", shkruan Sali Berisha.
Lideri demokrat thekson se forca politike që ai drejton mbështet fuqimisht "largimin e regjimit të paligjshëm e narkodiktatorial të Edi Ramës, kreut të organizatës kriminale më të rrezikshme në Evropë, kundër të cilit ajo organizoi 8 protesta të fuqishme si kryengritje paqësore kombëtare."
Kurse lidhur me mbështetjen e kërkesave të protestës për një sërë ligjesh që lidhen me investimet strategjike, Korporatën e Investimeve, Partneritetet Publiko-Private (PPP), Paketën dhe Portën e Maleve, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore, ai thotë se të gjitha ato janë kundërshtuar me forcën më të madhe nga PD-ja dhe grupi i saj parlamentar.
Sali Berisha thekson se Partia Demokratike mbështet plotësisht pesë kërkesat e drejta të përfaqësuesve të Lëvizjes së fuqishme rinore e qytetare dhe i kërkon Edi Ramës të heqë dorë nga kërcënimet, arroganca, përçmimi dhe etiketimet e protestuesve.
Pavarësisht se është deklaruar pro protestës, komentuesit nuk e kanë kursyer liderin demokrat, duke vështruar me komente kundër tij, ndërsa pakënaqësia është shfaqur dukshëm edhe në sheshin e protestës; qytetarët kërkojnë që bashkë me Edi Ramën, të ikë edhe Sali Berisha.
