Në sallën ku socialistët po festonin 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Elbasan, kryeministri Edi Rama nuk i ndali sulmet ndaj protestuesve kundër projektit në Tiranë, teksa nuk nguroi t’i quante ata “sharlatanë, delirantë dhe injorantë”.
Rama e cilësoi projektin e Zvërnecit si më të madhin në Europë në vitet e fundit dhe theksoi se një mundësi e tillë nuk duhet t’i humbasë vendit tonë.
Kreu i qeverisë sulmoi më tej protestuesit, duke thënë se ata po shpërndajnë “helm dhe llum” në rrjetet sociale me sloganin “Shqipëria është e shqiptarëve”. Sipas tij, “Shqipëria nuk është e shqiptarëve, sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Kështu thotë Kanuni”.
Rama: Nuk ka asnjë arsye që të rinjtë të kërkojnë fatin jashtë vendit. Më falni, por a jemi ne budallenj që ta lejojmë këtë, që të tjerët të përfitojnë nga mundësitë që ne i lëmë të na rrëshqasin nga duart?
Falë transformimit që kemi bërë, Shqipëria nuk përmendet më për keq, por si një vend turistik. Fakti që Shqipëria ndodhet në zemër të Europës, fakti që është një vend tolerant, janë gjëra që bota tashmë i ka mësuar dhe pyet: ‘A mund të bëjmë biznes në Shqipëri?’
Projekti 4-miliardë euro që këta kundërshtojnë është projekti më i madh turistik në Europë prej shumë e shumë vitesh. Dhe ne çfarë duhet të bëjmë? Si lopa që mbush kovën me qumësht dhe pastaj e derdh me shqelm? Duke i treguar botës një pamje krejt ndryshe nga ajo që jemi?
Po shpërndajnë helm dhe llum në rrjetet sociale me sloganin ‘Shqipëria është e shqiptarëve’. Por Shqipëria nuk është e shqiptarëve, sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Kështu thotë Kanuni. Shqiptarët janë zotër të shtëpisë së tyre dhe ajo është e hapur për mikun.
Ky slogan i ngjan atyre që përdornin nazistët, të cilët e çuan Gjermaninë në rrugë të gabuar dhe nxitën urrejtjen.
Si mund të katandisemi ne pre e disa injorantëve, delirantëve dhe sharlatanëve që pretendojnë se po mbrojnë mjedisin, ndërsa flasin për "Shqipërinë e shqiptarëve"?
