Ish-ministrja e qeverisë së Fatos Nanos, Ermelinda Meksi ka reaguar në lidhje me publikimin e kryeministrit Edi Rama i cili shkroi se protestuesit në shesh kapin shifrën 2 mijë, për të cilën tha se ky detaj është i parëndësishme në krahasim me mesazhin që jepet.
“Në demokraci, më shumë se numri i protestuesve, rëndësi ka mesazhi që ata përpiqen të përcjellin. Sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që ai të dëgjohet dhe të adresohet me dialog, transparencë dhe fakte të verifikueshme” shkruan Meksi në reagimin e bërë në profilin e saj në Facebook.
Duke u ndalur te mënyra e organizmit, Meksi theksoi se kreu i qeverisë shqiptare duhet të merret më shumë me kërkesat e qytetarëve të cilët po kërkojnë transparencë në lidhje me zhvillimin e projektit.
“Por reagimi i tij i kushton shumë më pak vëmendje përmbajtjes së pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimet konkrete publike të investimit” shton më tej Meksi në reagimin e saj.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama në episodin e sotëm të podkastit “Flasim” bëri me dije se protestat e qytetarëve po ndikojnë në ecurinë e turizmit të vendit, ku konktretisht tha se në Sarandë ka rënë numri i turistëve.
Ndërsa më tej ceku dhe ndikimin e influencerave shqiptarë të cilët publikojnë online pamje nga protesta, për të cilët tha se ata po jetojnë me disa like dhe shikueshmëri të marrë në rrjet, pa paguar asnjë taksë.
Reagimi i Ermelinda Meksit:
A po dëgjohen nga qeveria protestuesit?
Reagimi i fundit i Kryeministrit në platformën X i kushton shumë vëmendje madhësisë së protestës, mënyrës se si ajo paraqitet në media, si dhe rolit që mund të luajnë dezinformimi, amplifikimi dixhital dhe rrjetet sociale në formësimin e perceptimeve publike.
Këto janë shqetësime legjitime për çdo demokraci moderne
Por reagimi i tij i kushton shumë më pak vëmendje përmbajtjes së pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimet konkrete publike të investimit.
Kryeministri vazhdon ta trajtojë çështjen si një debat mbi një projekt që "ende nuk ekziston".
Ndërsa mesazhi që vjen nga protestat duket ndryshe:
"Pikërisht sepse jemi në fazën e hershme të procesit, kërkojmë transparencë, informacion dhe dialog tani, jo pasi gjithçka të jetë vendosur."
Në fakt, është kjo fazë kur duhet të zhvillohet debati publik mbi dobinë e investimit, ndikimet e tij afatgjata dhe modelin e zhvillimit që duam për Shqipërinë. Jo vetëm për një projekt të caktuar, por edhe për mënyrën se si e kuptojmë turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimin e drejtë të qytetarëve nga pasuritë natyrore të vendit.
Në demokraci, më shumë se numri i protestuesve, rëndësi ka mesazhi që ata përpiqen të përcjellin.
Sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që ai të dëgjohet dhe të adresohet me dialog, transparencë dhe fakte të verifikueshme.
Sepse çështja nuk është numri i atyre që protestojnë, numër qē megjithatë nuk duhet neglizhuar,por sa institucionet janë të gatshme të dëgjojnë dhe t'u përgjigjen në kohë shqetësimeve që ata shprehin.


