Vlora pritet të jetë e “nxehtë” këtë të premte, jo vetëm për shkak të temperaturave të larta të motit, por edhe për shkak të zhvillimeve të ngjeshura politike dhe protestave që do të zhvillohen paralelisht në qytet,
E gjithë vëmendja pritet të përqendrohet në tre aktivitete të ndryshme, të cilat zhvillohen pothuajse në të njëjtin hark kohor dhe që vijnë në një moment të “ethshëm” në vendin tonë.
Nga njëra anë ish-kryeministri Sali Berisha pritet të mbledhë në Vlorë mbështetësit dhe strukturat e demokratëve në një protestë të cilën e ka quajtur me moton “Vlora ngrihet për të drejtat e saj”.
Në të njëjtën kohë, në qytet pritet të zhvillohet edhe një protestë e qytetarëve kundër projektit të ndërtimit në zonën e Zvërnecit, një çështje e cila prej ditësh ka ndezur debat dhe ka nxitur reagime të forta si dhe një sërë protestash të cilat nuk kanë mbetur më vetëm brenda kufijve të qytetit bregdetar, por janë shtrirë edhe në Tiranë si dhe në vende ku jetojnë shqiptarë.
Në krahun tjetër të zhvillimeve, kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një takim me strukturuar e Partisë Socialiste në Vlorë, në kuadër të aktiviteteve për 35-vjetorin e kësaj force politike dhe në një kohë kur vlonjatët, por dhe shqiptarët janë duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë si dhe më tepër transparencë lidhur me projektin e Zvërnecit.
