Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbërritur në Samitin e Bashkimit Europian-Ballkani Perëndimor i cili po mbahet në Tivat, ku udhëheqësit e BE-së dhe të rajonit po diskutojnë procesin e zgjerimit dhe perspektivën e integrimit europian.
Gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat, jashtë ambienteve ku dhe po mbahet samiti, Rama u shpreh në favor të një qasjeje më të shpejtë dhe konkrete për anëtarësimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se BE duhet të tregojë më shumë guxim në këtë proces.
I pyetur për një parashikim mbi afatin e integrimit, ai iu përgjigj me një batutë: “Ka tre gjëra që nuk mund t’i parashikosh, Zoti, seksi dhe BE”.
Më tej, i pyetur nga gazetarët edhe për çështjen e Zvërneci, kryeministri sqaroi se nuk ekziston asnjë projekt i miratuar për atë zonë dhe se nuk ka arsye për shqetësim publik. Sipas tij, çdo diskutim duhet të bazohet mbi projekte konkrete dhe të miratuara më parë.
“Faktet kanë gjithmonë rëndësi. S’ka arsye për t’u shqetësuar sa kohë që nuk ka projekt,” u shpreh Rama, duke shtuar se idetë për zonën synojnë një ndërhyrje arkitekturore të veçantë që do t’i jepte vlerë të shtuar Shqipërisë.
Ndërsa lidhur me protestat, ai u shpreh se ato janë pjesë e jetës demokratike, por nuk duhet të devijojnë debatin nga faktet dhe proceset reale të vendimmarrjes.
“Nuk është një çështje mjedisore, është kthyer në një luftë hibride. Të gjithë e dinë kush qëndron pas kësaj, iranianët, që janë angazhuar edhe më herët në sulme kibernetike, janë pjesë e kësaj për të shtyrë narrativën, për të thënë që projekti nuk është ajo që është, por është një marrëveshje mes Netanyahut, Trump dhe meje. Keni parë video false me qindra mijëra njerëz, por në të vërtetë në Shqipëri nuk ka asgjë të tillë. Nga ana tjetër, ata janë vërtet njerëz që kanë një shqetësim, por asgjë nuk është gati, sepse nuk ka një projekt. Do të presim për projektin dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, tha Rama ndër të tjera.
