Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, komentoi gjatë fjalimit të tij në Kuvend deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë në lidhje me Nartën.
Balla tha se Narta është tokë autoktone shqiptare dhe se nuk pranon që ajo të konsiderohet tokë e një minoriteti.
Po ashtu, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së i bëri thirrje Greqisë që të njohë marrëveshjen e pensioneve mes dy vendeve.
Balla: Janë dy vëllezër nga Katari që kanë paguar lekët dhe jo algoritmet e TikTok, Facebook apo Instagram. Më shkruante një mik imi sot, ish-kryeministri i Rumanisë, të cilit i kishin nxjerrë një fotografi të Lungomares, të mbushur plot me njerëz, sikur protesta po zhvillohej atje. Ai ka rezervuar pushimet në Vlorë dhe e dinte që ajo fotografi ishte bërë në Vlorë.
Mu në kulmin e sezonit ka protesta. Nuk kam pasur dyshime që ai që foli para meje do ta ndryshonte qëndrimin, nga mbështetës i investimit në një qëndrim tjetër.
Sa i përket marrëveshjes me Poloninë, jemi në negociata me Spanjën dhe Greqinë dhe, duke përfituar nga foltorja e Kuvendit, lexova deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Sa i përket të drejtave dhe pronës, ato i përkasin kritereve të vendosura nga marrëveshja e Kopenhagës për minoritetet në rrugën e integrimit në BE.
Por nuk mund të pranoj që të më thonë se Narta është tokë e një minoriteti. Narta është tokë shqiptare, autoktone. Unë e di fare mirë që në atë territor flitet një dialekt i gjuhës greke dhe banorët quheshin “nartës”. Por jemi të lidhur të gjithë me minoritetin grek, jemi martuar mes nesh, por nuk mund të thuhet se ai është territor grek.
Tani kam një kërkesë për qeverinë greke: ka 1 milion shqiptarë që kanë punuar në Greqi për 35 vjet. Disa kanë punuar në të zezë për të siguruar dokumentet. Meqë kanë rifilluar negociatat, le ta bëjmë marrëveshjen.
