Edison Adri, efektivi 36 vjeçar i cili një ditë më parë mbeti i plagosur prej plumbit të qëlluar nga Violand Braçellari, në pjesën e nofullës, është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në rrezik për jetën.
Burime për Newsbomb.al pranë spitalit të Traumës në Tiranë, kanë bërë me dije se Adri pritet që ditën e sotme t’i nënshtrohet një tjetër operacioni.
Kujtojmë se mëngjesin e ditës së djeshme një ngjarje e rëndë dhe tragjike tronditi vendin, pasi një efektiv i Policisë së Shtetit humbi jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim në zonën e Lozhanit, në Maliq, Violand Braçellari.
Si pasojë e të shtënave, efektivi i forcave "Shqiponja", Enea Mekolli, 34 vjeç, mbeti i vrarë në krye të detyrës, duke mos arritur t'u mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë, kolegu i tij, Edison Adri, 36 vjeç, mbeti i plagosur në pjesën e nofullës.
Ndërsa në nder të të ndjerit Enea Mekolli kanë mbajtur sot homazhe ne qytetin e Pogradecit, ku miq, familjarë e kolegë mes lotësh e përcollën “Dëshmorin e Atdheut” për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij, pranë të vëllait i cili ndërroi jetë një vit më parë.
