Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

PRAPASKENAT/ Heqja e Non Gratës së Berishës, zyrtarja e lartë e SHBA-ve telefonoi personalisht kryedemokratin, çfarë pritet sot nga DASH

Shkruar nga Newsbomb
PRAPASKENAT/ Heqja e Non Gratës së Berishës, zyrtarja e
Sali Berisha

Një zhvillim i rëndësishëm politik, i cili prej javësh ka qarkulluar në korridoret e Partisë Demokratike, duket se po merr formë zyrtare. Burime pranë selisë blu si dhe gazetari Çim Peka, kanë konfirmuar se ish-kryeministrit Sali Berisha i është hequr statusi “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas informacioneve të siguruara, në orët në vijim pritet që Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë të dalin me një deklaratë zyrtare për të sqaruar dhe konfirmuar vendimin.

Ndërkohë që mësohet se ka qenë vetë e deleguara e Shteteve të Bashkaura të Amerikës në vendin tonë, Nancy VanHorn e cila ka telefonuar personalisht liderin e të djathtës shqiptare ku dhe e ka njoftuar për vendimin e marrë nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio për heqjen e sanksioneve ndaj tij.  Ata kanë biseduar për rreth 15 minuta ku dhe i është komunikuar Berishës se duke filluar nga sot ai mund të shkelë në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe cilësimi “non grata” ndaj tij nuk ekziston më.

Kujtojmë se lajmi u bë fillimisht publik nga gazetari Çim Peka, i cili në një reagim të publikuar në rrjetet sociale deklaroi se autoritetet amerikane kanë njoftuar zyrtarisht për heqjen e statusit “non grata” për liderin demokrat.

PRAPASKENAT/ Heqja e Non Gratës së Berishës, zyrtarja e
Postimi i bere nga Çim Peka

Ndërkohë që vetë Sali Berisha, ndonëse nuk vendosi që t’i përgjigjej drejtpërdrejt pyetjes së gazetarëve lidhur me këtë lajm, shkurtimisht në foltoren e Kuvendit ai deklaroi: “Unë erdha, u krye”.

Edhe ish-ministri i kabinetit dy të Berishës, Eduart Halimi duket se ka konfirmuar në mënyrë indirekte lajmet që po qarkullojnë lidhur me heqjen e statusit “non grata” për liderin demokrat.

Fillimisht ai publikoi në rrjetet sociale një fotografi krah Sali Berishës, ndërsa në postimet pasuese ndau imazhe të Marco Rubio dhe flamurit amerikan. Pa bërë asnjë koment të drejtpërdrejtë, postimet e tij janë interpretuar si një konfirmim “në heshtje” i lajmeve se ish-kryeministrit Sali Berisha i është hequr statusi “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

PRAPASKENAT/ Heqja e Non Gratës së Berishës, zyrtarja e
Eduart Halimi dhe Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në maj të vitit 2021. Në argumentimin e saj, administrata amerikane e asaj kohe deklaroi se Berisha ishte përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë, duke përmendur keqpërdorimin e fondeve publike dhe ndërhyrjen në procese publike për përfitime personale dhe politike.

Vendimi përfshinte gjithashtu familjen e tij dhe ndalonte hyrjen e tyre në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Berisha e kundërshtoi menjëherë vendimin, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht dhe duke akuzuar kundërshtarët e tij në Tiranë për ndikim në këtë proces. Ai hodhi akuza edhe ndaj zyrtarëve të lartë amerikanë, duke pretenduar se vendimi ishte rezultat i lobimeve politike kundër tij.

Shpallja “non grata” solli pasoja të forta në jetën politike të Partisë Demokratike. Në shtator të vitit 2021, kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha, vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar demokrat. Ky vendim u pasua nga një përplasje e ashpër politike brenda partisë, e cila kulmoi me lëvizjen e Rithemelimit, mbajtjen e Kuvendit Kombëtar dhe rikthimin e Berishës në krye të Partisë Demokratike në vitin 2022.

Në vitin 2023, Berisha u vendos në masën e sigurisë “arrest shtëpie” në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”, një vendim që ai e konsideroi politik. Pas më shumë se një viti, ai u lirua në fund të vitit 2024 dhe iu rikthye aktivitetit të plotë politik.

Prej shpalljes së tij “non grata”, Berisha ka deklaruar vazhdimisht se vendimi do të rishikohej dhe se ai do të arrinte të provonte pafajësinë e tij. Tashmë, sipas burimeve pranë Partisë Demokratike dhe informacioneve që po qarkullojnë në qarqet politike, duket se një zhvillim i tillë mund të jetë konkretizuar.

Megjithatë, konfirmimi përfundimtar pritet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë, të cilat sipas burimeve pritet të reagojnë zyrtarisht gjatë orëve në vijim.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese