Ish-kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar publikisht lajmin për heqjen e sanksioneve ndaj tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i dhënë fund spekulimeve që kanë qarkulluar gjatë orëve të fundit në media.
Në një deklaratë për gazetarët jashtë ambienteve të Kuvendit, lideri i Partisë Demokratike bëri të ditur se ka pasur një komunikim zyrtar lidhur me vendimin e autoriteteve amerikane, duke konfirmuar kështu informacionet e publikuara më herët.
“Nuk kam qenë kurrë non-grata në SHBA, ka pasur vetëm një ndalim hyrje. Kam pasur komunikim zyrtar. Çdo shqiptari unë i thashë në parlamentin e Shqipërisë, u ktheva”, tha Berisha.
Pak më parë Newsbomb raportoi se ka qenë e ngarkuara me punë e SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn e cila ka kontaktuar personalisht Berishën për t'i komunikuar vendimin për heqjen e sanksioneve ndaj tij.
Sipas informacioneve, biseda mes tyre ka zgjatur disa minuta dhe në fokus të saj ka qenë vendimi i marrë nga autoritetet amerikane.
Pjesë nga bisedat me gazetarët:
Zoti Berisha a mund të na thoni me kë keni komunikuar?
Sali Berisha: Përderisa jam këtu, unë kam pasur komunikim zyrtar. E gjitha çfarë mund t’u them: unë u ktheva.
Është vetëm për ju apo për të gjithë familjarët tuaj?
Sali Berisha: Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non-grata. Të jeni të sigurtë.
Ka qenë se kemi njoftimin e Blinkenit?
Sali Berisha: Nëse do tani, po të them, Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non-grata. Ka pasur një sanksion, vizën.
Pra, nga sot ju mund të lëvizni i lirë?
Sali Berisha: Tani edhe njëherë, se ti nuk e ke gabim që pyet, sepse kundërshtarët e mi e quajtën non-grata dhe unë nuk është se e kundërshtova.
Ka qenë një sanksionim për ju dhe familjarët tuaj për minim demokracie dhe korrupsion.
Sali Berisha: Edhe njëherë, ka qenë një ndalim hyrje për ato arsye që thua ti në SHBA.
Sot është hequr për ju dhe për familjen tuaj apo vetëm për ju?
Sali Berisha: Sot unë them u ktheva. U ktheva!

