Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, në një postim në Facebook, i ka kërkuar publikisht Marjana Koçekut të lërë mandatin e deputetes, një ditë pasi kjo e fundit njoftoi largimin e saj nga Partia Socialiste.
Ndreu shkruan se malësorët, as neomalësorët, nuk kanë shitur e as blerë kurrë atë që u është dhënë me mirëbesim dhe respekt, ndërsa shton se gjithkush që ka mendime ndryshe mund të largohet nga një forcë politike.
“Heqja dorë nga mandati i marrë falë votës së mijëra socialistëve shkodranë do të ishte një akt që do ta fisnikëronte miken time, Marjana Koçeku”, thekson ai në postimin e tij.
Sipas kryebashkiakut, nuk bëhet fjalë për një dramë në PS, por për shkelje të besimit.
Postimi i Ndreut:
Malësorët, e as neomalësorët, nuk kanë shitur e as blerë kurrë atë që u është dhënë me mirëbesim dhe respekt.
Kushdo, në kushte e rrethana të tjera, mund të ndryshojë mendim apo ide, mund të mos e gjejë më veten ose të mos përputhet me një forcë politike. Kjo është krejt normale.
Por nderi i caktimit në krye të listës politike të qarkut më të madh në veri, pa asnjë kontribut politik të mëparshëm, moralisht nuk duhet të keqpërdoret.
Heqja dorë nga mandati i marrë në sajë të votës së mijëra socialistëve shkodranë do të ishte një akt që do ta fisnikëronte miken time, Marjana Koçeku.
Kjo nuk është dramë për PS-në, por është shkelje besimi, për sa kohë që keqpërdoret mandati i dhënë politikisht nga PS.
Përtej ekzaltimeve të disave që besojnë se u shemb bota, duhet të mbizotërojë morali i malësorit, aty ku ha bukë, nuk përmbys kupën.
