
Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar nga qelia për atentatin me tre viktima në Shkodër, duke dënuar qëndrimin e qeverisë në raport me krimin, dhe guximin e këtij të fundit për të bërë masakër në mes të qytetit, pa llogaritur askënd.
"Humbja e jetës së qytetarëve të pafajshëm, guximi për të vrarë në mes të qytetit dhe humbja e autoritetit të shtetit janë tragjedi që parakalon në sytë e të gjithëve! Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar ishte tragjedia e Shkodrës ku mbetën të vrarë qytetarë të pafajshëm", shkruan ish-deputeti.
Ai thotë se kur Partia Demokratike të vijë në pushtet, do të çmontojë bandat me forcën e ligjit e do të mbajmë përgjegjës çdo kriminel e çdo pupac që i shërben atyre. "Drejtësia vonon por nuk harron", shkruan Ervin Salianji.
Lexoni letrën e plotë të ish-deputetit nga qelia e Burgut të Fierit:
Humbja e jetës së qytetarëve të pafajshëm, guximi për të vrarë në mes të qytetit dhe humbja e autoritetit të shtetit janë tragjedi që parakalon në sytë e të gjithëve! Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar ishte tragjedia e Shkodrës ku mbetën të vrarë qytetarë të pafajshëm! Policia nuk reagon ndaj kërcënimit me vdekje ndaj një të riu, e pafuqishme ta parandalojë krimin, e pafuqishme të kapë autorët, e pafuqishme të reagojë më shumë se agjensitë e lajmeve.
Është tmerr më vete se si qeveria i shkel syrin krimeve në varesi te kalkulimeve elektorale, asnjë reagim qeveritar për vrasjet, ministri që belbëzon dhe rri para kamerave sikur i kanë drejtuar armën nuk guxon dot as të dënojē vrasjet dhe as të marrë masa, sepse ministri është i lejuar të fusë hundët tek parfumi i Elda Hotit për ta propoganduar si helm i shkatërrimit në masë por askush i thyejnë hundët nëse i fut tek punët e policisë, ata i emëron krimi e janë në shërbim të partisë shtet! Prandaj i turren protestuesve dhe zbythen nga kriminelet, prandaj nderojnë banditët dhe dhunojnë hallexhinjtë!
Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin! Ne do ti çmontojmë bandat me forcën e ligjit e do të mbajmë përgjegjës çdo kriminel e cdo pupac që i shërben atyre! Drejtësia vonon por nuk harron!