
Politikani demokrat i dënuar me një vit burg për dosjen "Babale", Ervin Salianji ka shkruar një letër nga Burgu i Fierit ku po vuan dënimin dhe thotë se burgosja politike, si ajo e tija, është forma më brutale e dhunës, pas vrasjes.
"Krimi më i madh është shkatërrimi i demokracisë, shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit", shkruan ish-deputeti, që pas dënimit humbi para kohe dhe mandatin. "Opozita po mbrohet dhe po mbron demokracinë dhe interesin publik", vijon ai.
Duke ju referuar përshkallëzimit të aksionit opozitar që ka ndërmarrë Partia Demokratike fill pas burgosjes së tij, Ervin Salianji sulmon socialistët, teksa thotë se ata po shfaqen si viktima, në një kohë që janë vetë agresorët.
Kujtojmë se, të enjten e kaluar më datë 26 Shtator 2024, Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e disa viteve më parë të Gjykatës së Shkallës së Parë, për dënimin me 1 vit burg të ish-deputetit Ervin Salianji për dosjen "Babale". Ai po e vuan dënimin në Burgun e Fierit.
Letra e plotë që Ervin Salianji ka shkruar nga Burgu i Fierit:
“Shfaqja e agresorëve si viktima, e dhunuesve si të dhunuar, e abuzuesve si të prekur nga prekja e pronës publike është hipokrizi neveritëse.
Njësoj siç vjedhin dhe përgjegjësine e mbajnë denoncuesit, siç shkretojnë dhe shkatërrojnë, siç e ndajnë Shqipërinë si plaçkë lufte për bandat dhe mes bandave, siç përndjekin administratën, shkatërrojnë meritokracinë, sot po përpiqen të sillen si viktima.
Dhuna dhe brutaliteti më i madh është eleminimi i kundërshtarit politik duke asgjësuar dhe nënshtruar institucionet. Duke përdorur institucionet, si komisionet e partisë, për të fshikulluar dhe hequr lirinë dhe asgjesuar të drejtat.
Krimi më i madh është shkatërrimi i demokracisë, shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit. Pas vrasjes, burgosja politike është forma më e rëndë dhe më brutale e dhunës. Opozita po mbrohet dhe po mbron demokracinë dhe interesin publik.”