Policia e Vlorës konfirmon zyrtarisht se 4 anëtarët e familjes Gushi nga Patosi kanë ndërruar jetë në aksidentin e ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Fier-Vlorë. Të plagosur dhe jashtë rrezikut për jetën janë 3 të rinjtë që udhëtonin me Audi A6.
Newsbomb.al mëson se kryefamiljari që ka ndërruar jetë është 44 vjeçari Eduart Gushi. Po ashtu, viktimë është dhe gruaja e tij Silvana Gushi. Dy vajzat e mitura të çiftit që kanë ndërruar jetë janë: Anastasia Gushi dhe Eva Gushi.
Ndërkohë, tre shokët që kanë mbetur të plagosur janë identifikuar si: Igli Madani, Glori Selimi dhe Fabi Lamaj.
Grupi hetimor po vijon punën, për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, Policia bën me dije se:
- Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 personat që udhëtonin me mjetin “Toyota”, shtetasit E. G., 44 vjeç, S. G., 33 vjeçe, A. G., 14 vjeçe dhe E. G., 9 vjeçe.
- Ndërkohë, në spitalin e Vlorës po marrin mjekim 3 shtetasit që udhëtonin me mjetin “Audi”, I. M., F. L dhe G. S., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Si ndodhi aksidenti në autostradën e Vlorës
Makina tip Toyota ku udhëtonte familja me katër anëtarë që fatkeqësisht mbetën viktima, kishte disa ditë që kishte ardhur nga Greqia dhe sot po udhëtonin drejt Vlorës për të kaluar fundjavën, shkruan newsbomb.al. Në vendin e quajtur “Kripa”, në Panaja, ata janë goditur nga pas nga një mjet tip Audi A6.
Të dy mjetet, ai me viktimat dhe Audi lëviznin me drejtim qytetin bregdetar.
Shpejtësia e lartë dyshohet se ka qenë shkak për aksidentin që i mori jetën katër anëtarëve të familjes Gushi nga Patosi. Nga përplasja e fuqishme, mjeti Toyota është shkatërruar i gjithi, ndërsa vetë Audi ka dalë nga rruga dhe ka ecur për dhjetëra metra, ka thyer një shtyllë elektrike dhe ka përfunduar në kanal.
Aq shpejt ka qenë duke lëvizur mjeti tip Audi, saqë kur ka rënë në kanal, ka hapur një gropë të madhe në tokë, shkruan newsbomb.al. Tre të rinjtë që udhëtonin me të, ndodhen në spitalin e Vlorës jashtë rrezikut për jetën.
Lexo edhe: Aksident i rëndë në autostradën Fier-Vlorë
Lexo edhe: PAMJE TË RËNDA! Vajza e mitur nxirret nga makina e bërë “petë” në Fier-Vlorë
Lexo edhe: Ndërron jetë vajza e mitur dhe dy pasagjerët e tjerë
Lexo edhe: Vdesin 4 anëtarët e familjes, Audi i zi i mori para në autostradë
