Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë si edhe të pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfudnimit të një periudhe dislokimi rotativ.
Forcat të cilat po largohen pritet të zëvendësohen prej jë kontigjenti të ri ushtarak, e megjithëatë koha dhe përmasat e vendosjes së re nuk janë konfirmuar ende, pasi Uashingtoni është duke zhvilluar një rishikim të pranisë së tij ushtarake në Evropë. Sipas mediave të huaja tërheqja u konfirmua nga burime të sigurta, ndërsa një pjesë e informacionit u konfirmua edhe nga këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, Deividas Matulionis.
Sipas LRT-së, vitet e fundit rotacionet e trupave amerikane në Lituani kanë qenë pothuajse të pandërprera. Pas nisjes së agresionit të plotë rus kundër Ukrainës, prania amerikane u gjerua në një dislokim thuajse të përhershëm me 1 mijë ose më shumë ushtarakë dhe pajisje luftarake.
Raporti thekson se që nga viti 2019, Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar rregullisht në Lituani kontingjente me përmasa batalioni. Pas fillimit të luftës së plotë në Ukrainë, kjo prani u zgjerua ndjeshëm.
Kujtojmë se ky zhvillim vjen në një moment kur po shtohen raportimet për një reduktim të mundshëm të pranisë ushtarake amerikane në Evropë. Më herët e përditshma gjermane Welt am Sonntag raportoi se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të zvogëlojnë një pjesë të pranisë së tyre ushtarake në Evropë më shpejt sesa kishte parashikuar NATO, pa u dhënë aleatëve një periudhë të konsiderueshme tranzicioni.
