Bashkimi Evropian ka hapur rrugën për rifillimin zyrtar të negociatave të pranimit me Ukrainën, pas heqjes së vetos nga Hungaria.
Vendimi u mor në Bruksel nga përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare, të cilët dhanë miratimin paraprak për hapjen e kapitujve të parë negociues me Ukrainën dhe Moldavinë.
Presidenca qipriote e BE-së e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të dy vendeve.
Kryeministri hungarez Peter Magyar njoftoi se është arritur një “marrëveshje historike” me Kievin mbi të drejtat e pakicës hungareze që jeton në Ukrainë, çështje që prej vitesh kishte tensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Sipas tij, qeveria ukrainase do të zbatojë masat e dakorduara në të ardhmen e afërt, përfshirë rivendosjen e shkollave të pakicave ku gjuha hungareze do të përdoret lirisht dhe lejimin e simboleve kombëtare në komunitetet ku popullsia hungareze tejkalon 10%.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga pala ukrainase, ndërsa Hungaria ka paralajmëruar se do të japë pëlqimin për hapjen e kapitujve të parë të negociatave nëse këto masa zbatohen.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kishin hyrë në krizë që prej vitit 2017, kur Kievi miratoi një ligj që e vendoste gjuhën ukrainase si gjuhë kryesore në arsimin e mesëm. Ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán kishte kundërshtuar vazhdimisht anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe kishte bllokuar planet e ndihmës për vendin e goditur nga lufta.
