
Administrata Tatimore ka rimbursuar 750 mijë euro për 4,535 individë, në kuadër të rimbursimit të tatimit të mbipaguar që rezulton nga DIVA 2025. Institucioni njofton se procesi vijon normalisht edhe për individët e tjerë që përfitojnë rimbursim nga DIVA 2025.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se një pjesë e tyre nuk kanë plotësuar të dhënat e llogarisë bankare në sistemin e-Filing, duke pamundësuar përfundimin e procedurës së rimbursimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bënë thirrje të gjithë subjekteve që janë përfitues, të plotësojnë sa më parë të dhënat e llogarisë bankare në e-Filing, për të mundësuar kalimin e shumës që ju takon në llogarinë tuaj bankare.
Për të lehtësuar përfundimin e këtij procesi, Administrata Tatimore publikon udhëzuesin për plotësimin e të dhënave të llogarisë bankare në e-Filing dhe fton të gjithë individët që rezultojnë me tatim të mbipaguar ta plotësojnë këtë informacion sa më parë.
Ndiqni udhëzuesin bashkëlidhur për hapat që duhen ndjekur për plotësimin e të dhënave të llogarisë bankare.
