Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka ardhur me një tjetër reagim lidhur me atë çfarë është duke ndodhur në Lindjen e Mesme dhe sulmet e amerikanëve ndaj Iranit.
Në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump ka sulmuar kongresmenin republikan Thomas Massie, i cili i kritikoi sulmet amerikane ndaj Iranit si jo "kushtetuese".
Presidenti ka vijuar të mbështesë këtë operacion të amerikanëve duke theksuar edhe njëherë që ditën e djeshme patën një sukses spektakolar ushtarak dhe se ua morën bombën nga duart iranianëve.
“Dje patëm një sukses spektakolar ushtarak, duke ua marrë ‘bombën’ nga duart (dhe ata do ta përdornin nëse do të mundnin!), por, si zakonisht, dhe pavarësisht të gjitha lëvdatave dhe vlerësimeve të marra, ky kongresmen ‘i lehtë’ është kundër asaj që u arrit në mënyrë kaq brilante mbrëmë në Iran”, shkruan Trump.
Më tej ai ka falenderuar ushtrinë për punën e “mrekullueshme” që bënë mbrëmjen e së shtunës ku arritën që të godasin tre impiantet bërthamore iraniane: Fordoë, Natanz dhe Esfahan.
"MAGA nuk ka të bëjë me politikanë dembelë, madhështorë dhe joproduktivë, një prej të cilëve është padyshim Thomas Massie. Faleminderit ushtrisë sonë të jashtëzakonshme për punën e MREKULLUESHME që bënë mbrëmë. Ishte vërtet e VEÇANTË!!!", shkruan Trump ndër të tjera.

