Irani ka ekzekutuar dy burra, të cilët ishin arrestuar gjatë protestave antiqeveritare në janar. Sipas raportimeve, turma qytetarësh u mblodh pranë vendit të ekzekutimit në përpjekje për të parandaluar varjet publike, por u shpërnda nga forcat e sigurisë.
Mediat bëjnë të ditur se Abolfazl Sepahi Badjani dhe Amirhossein Safari Hosseinabadi u ekzekutuan me varje në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran, një organizatë me seli në SHBA, njoftoi se dhjetëra njerëz u mblodhën në qytetin qendror të Isfahanit pasi në vendngjarje u ngritën skela metalike për ekzekutimet.
Ndërkohë, organizata Hengaë për të Drejtat e Njeriut, me seli në Norvegji, raportoi se gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë pati të plagosur dhe persona të arrestuar.
Pamjet e publikuara në internet nga aktivistët duket se tregojnë dhjetëra njerëz të mbledhur pranë vendit të ekzekutimit, përpara se forcat e sigurisë të ndërhynin me motoçikleta për të shpërndarë turmën dhe për të kryer ekzekutimet.
“Rreth orës 4:45 të mëngjesit, pasi shpërndanë turmën, ata i fikën përsëri dritat, bërtitën ‘Allahu ekber’ dhe i ekzekutuan”, citohet të ketë thënë një dëshmitar.
