Katari ka rihapur hapësirën ajrore në vend pas një sulmi të organizuar nga Irani në drejtim të Komandës Qendrore të SHBA-ve “Al Udeid”, bazë ushtarake e ndodhur në Doha të Katarit.
Lajmi është bërë i ditur nga Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil teksa shkruhet se tashmë vendi i është rikthyer kështu normalitetit.
“Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil njofton rifillimin e trafikut ajror në hapësirën ajrore të Shtetit të Katarit dhe kthimin e atmosferës në normalitet”, thuhet në një deklaratë për X.
Shteti i Katarit njoftoi disa orë më parë pezullimin e trafikut ajror pas sinjaleve të forta se Irani do të sulmonte bazën ushtarake të Amerikës si një kundërpërgjigje e sulmeve të 21 Qershorit që këto të fundit kryen mbi centralet bërthamore të Iranit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në programin bërthamor të vendit.
Nga sulmi i kryer sot në Doha, nuk ka pasur viktima pasi baza ishte evakuuar më parë për shkak të dijenisë mbi sulmin. Në një reagim publik, Donald Trump e cilësoi këtë kundërpërgjigje si të dobët dhe se tashmë është koha që t’i rikthehen diplomacisë dhe dialogut për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.

