Papa Françesku vdiq të hënën e Pashkëve, më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare në Casa Santa Marta.
Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur nga kardinali Kevin Farrell, i cili përmes një deklarate zyrtare të Vatikanit njoftoi: “Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë ju njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku”.
Kardinali vuri në dukje se e gjithë jeta e Papës iu kushtua shërbimit ndaj Zotit dhe Kishës, ndërsa vlerësoi mësimet e tij , të përqendruara në vlerat e Ungjillit.
Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur komunitetin ndërkombëtar, me besimtarët që tashmë janë mbledhur në Vatikan për të bërë homazhe.
Por, çfarë ndodh kur Papa vdes?
Sipas asaj që mediat italiane shkruajnë mësohet se Papa Françesku së fundmi kishte miratuar disa plane për ta bërë ceremoninë e varrimit sa më të thjeshtë.
E teksa paraardhësit e tij u varrosën në tre arkivole të bëra nga selvi, plumbi dhe lisi, Papa Françesku para se të ndërronte jetë kishte zgjedhur një arkivol sa më të thjeshtë, i bërë prej druri dhe i veshur me zink. Ai ka hequr gjithashtu traditën e vendosjes së trupit të Papës në një platformë të ngritur të njohur si katafalkë në Bazilikën e Shën Pjetrit për shikim publik.
Në vend të kësaj, besimtarët do të ftohen të bëjnë nderimet e tyre ndërsa trupi i tij mbetet brenda arkivolit, me kapak të hequr. Françesku do të jetë gjithashtu Papa i parë në më shumë se një shekull që do të varroset jashtë Vatikanit. Ai do të prehet në Bazilikën e Shën Marisë Major, një nga katër bazilikat kryesore papale në Romë.
Vdekja e Papës vjen në vitin jubilar katolik:
Vdekja e Papës jo vetëm që pason ngjarjen më të rëndësishme kalendarike për katolikët, por bie në vitin e veçantë jubilar, i cili vjen çdo 25 vjet.
Jubileu nisi kur Papa hapi Derën e Shenjtë të ndërtuar zakonisht me tulla në Bazilikën e Shën Pjetrit më 24 dhjetor dhe sheh miliona pelegrinë që zbresin në Vatikan për të kaluar nëpër derë dhe për të kërkuar falje për mëkatet e tyre.
Dhjetëra mijëra katolikë ishin mbledhur për meshën e Pashkëve në këtë vit të veçantë.

