Dy shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane pasi janë kapur në flagrancë duke shitur drogë në parkingun e një zone, në Teramo të Italisë.
Mësohet se dyshja ishte izoluar në një parking në zonën e Villa Zaccheo-Petriccione dhe janë arrestuar në flagrancë teksa bënin pazare droge.
Autoritet vendase raportojnë se dyshja u prangos në momentin kur i përgatitën për shitje 5 doza kokainë një qytetari. Sapo u realizua momenti i shkëmbimit të drogës dhe parave, policia vuri re lëvizjet e tyre dhe menjëherë pas dyshimeve u afrua pranë tyre.
Pas kontrolleve fizike të ushtruara në momentin e shkëmbimit, policia ushtroi kontrolle dhe në makinën e banesën e shqiptarëve. Për rrjedhojë, në makinën që ata përdornin u gjetën dhe 5 doza të tjera droge, ndërsa në shtëpi mësohet të jenë sekuestruar materiale që shërbenin për paketimin e drogës si dhe një shumë prëj 1 mijë euro që dyshohet të jetë siguruar nga veprimtaria kriminale.
"Pasditen e djeshme, gjatë një operacioni specifik policor që synonte verifikimin e disa raportimeve anonime të marra nga Selia Qendrore e Policisë së Teramos në lidhje me aktivitet të dyshimtë në një parking në Villa Zaccheo-Petriccione, oficerët e Skuadrës Fluturuese të Teramos arrestuan dy shtetas shqiptarë, të moshës 23 dhe 34 vjeç, në flagrancë për krimin e trafikut të drogës”, informuan autoritetet.
Më tej mësohet se dy shqiptarët u lanë në arrest shtëpiak deri në seancën e radhës ku pritet që ata të pranojnë fajin dhe të përshpejtohet procesi gjyqësor.
