Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët u kapën duke i marrë 20 mijë lekë një drejtuesi mjeti dhe t'i kthehej patenta dhe të shmangej masa administrative për shkeljen e konstatuar.
Në pranga kanë rënë D. B., 25 vjeç, dhe E. K., 23 vjeç, të dy efektivët me detyrë në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Ata akuzohen për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Shpërdorimi i detyrës", të kryera në bashkëpunim.
AMP bën me dije se ka nisur hetimet pas publikimit të pamjeve filmike, të cilat u analizuan dhe u verifikuan nga strukturat hetimore të Agjencisë.
Po ashtu në njoftim theksohet se vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Njoftimi i AMP:
AMP arreston në flagrancë dy punonjës policie të Komisariatit Nr. 3, Tiranë, për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre
Drejtoria Rajonale Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë kompetente, ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
- D. B, 25 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë;
- E. K, 23 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë.
Hetimi ka nisur menjëherë pas publikimit, më datë 16.07.2026, të pamjeve filmike në rrjetin social “Jeta është Qef”, të cilat u analizuan dhe u verifikuan në mënyrë të plotë nga strukturat hetimore të AMP-së.
Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, në funksion të veprave penale të parashikuara nga nenet 244 dhe 301 të Kodit Penal.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe çdo forme tjetër paligjshmërie nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
Falënderojmë qytetarët dhe median për kontributin e tyre në denoncimin e rasteve të shkeljes së ligjit.

