Hapësire reklamuese

Aktualitet

Afrim Krasniqi: Le të kujtojmë faktet, opozita nuk zhgënjeu as këtë herë për të ecur kundër rrjedhës së kohës!

Shkruar nga Newsbomb
Afrim Krasniqi: Le të kujtojmë faktet, opozita nuk zhgënjeu as
Foto arkiv: Sali Berisha dhe Edi Rama

Nga Afrim Krasniqi

Le të kujtojmë faktet: mbi 13 vjet më opozitë, mbi 7 procese elektorale të humbura, 9 muaj përpara zgjedhjeve vendore dhe 45 ditë nga protesta masive qytetare kundër establishmentit politik. Opozita mblidhet dhe pritet reagimi: reformë programore, strukturore, ekip të ri, kontratë të re sociale. Në fakt, nuk ndodhi as njëra as tjetra.

Opozita nuk zhgënjeu as këtë herë në aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të ecur kundër rrjedhës së kohës. Ajo votoi formalisht një kandidat për kryetar, atë që ishte de juro dhe de facto kryetar prej shkurtit 1991. Pastaj formalisht votoi një pjesë të kryesisë dhe drejtuesit e këshillit (një ndarje e çuditshme gjinore, moshore, gjeografike, sociale, etj) që nuk e aplikon asnjë parti në EPP), si dhe drejtues në Këshill një person që në intervistën e parë publike tha se nuk e kishte kërkuar derisa ia ofruan.

Pastaj votimi formal për ekipin drejtues: numri 1, 2, 3, 4 mbeten të njëjtë. Ka një ndryshim te numrat 5-6 pastaj 7-8-9 përsëri të njëjtë. Një prej tyre, 24 orë më përpara e kisha në studio TV, “kam vendosur kandidaturën për zv/kryetar“ tha. Kur u votua emri i tij nuk ishte aty, e kandiduan formalisht në një pozitë tjetër ku nuk kishte vendosur vetë kandidaturën!

Imagjinoni këtë ekip si qeveri - hije, një ekip që ka bindur veten se përfaqëson sfidat e vendit, pritshmëritë qytetare dhe gjeneratën e re! Ata besojnë se nuk duhet të ndryshojnë. Bota ndryshon, Shqipëria ndryshon, gjeneratat ndryshojnë, shoqëria ndryshon, ata jo. Janë një formë e monumenteve të kulturës. Paguhen me taksat tona dhe oligarkët e qeverisë (jo vetëm) për të mos ndryshuar.

Rezultati? Shqipëria aktualisht de facto nuk ka qeverisje normale dhe as funksionale. Ka një grup që mban peng qeverisjen dhe forcën kryesore politike duke krijuar shtet privat, parti private dhe duke ndjekur agjendë e politikë private. Nga ana tjetër Shqipëria nuk ka as opozitë normale dhe as funksionale. Edhe aty, parti private, interesa private, agjendë private.

Kur nisi më 1991 premtimi ishte tjetër, pritshmëritë ishin të tjera, slogani ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Pas më shumë se tri dekadash? Mbi 42% kanë emigruar, gjenerata e re është në rrugë në protesta ditore, pjesë e lexuar e vendit refuzon partitë dhe individë pa ide, vizion, aftësi dhe as integritet politik dominojnë në parti, parlament dhe vendimmarrje, ndërkohë që Shqipëria vijon të jetë demokraci hibride, një produkt politik shumë larg modelit të premtuar dhe pritshmërive për shtetin e së drejtës dhe demokracinë përfaqësuese.

Një arsye më shumë në 1001 arsye të tjera për të kuptuar se protesta kryesisht rinore në Tiranë meriton mbështetje, mirënjohje dhe nxitje për artikulim & vijim sa më të qëndrueshëm, të besueshëm, më efektiv dhe bazuar në integritet moral e qytetar.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese