Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka marrë pjesë këtë të enjte në një ngjarje për projektin "Smart City" dhe në fjalën e tij, ka përshëndetur këtë nismë të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme, që lehtëson punën e Policisë dhe garanton siguri për qytetarët.
"Kur projekti “Smart City” nisi të diskutohej për herë të parë, ai u prit me skepticizëm nga shumëkush. Hezitimet dhe pikëpyetjet nuk munguan as brenda Policisë së Shtetit, pasi bëhej fjalë për një projekt me përmasa krejtësisht të paprecedenta për vendin tonë në fushën e sigurisë, si dhe për një kapërcim të madh drejt përdorimit të teknologjive të avancuara dhe një filozofie krejtësisht të re pune për strukturat tona.
Por, ne zgjodhëm të besonim te vizioni që qëndronte pas këtij projekti, se teknologjia nuk është thjesht një mjet modernizimi, por është një instrument jetik që na ndihmon të parandalojmë, të reagojmë më shpejt dhe të garantojmë në mënyrë më efektive sigurinë e qytetarëve tanë", është shprehur Hita.
Sipas tij,gjatë muajve të fundit, Policia e Shtetit u angazhua maksimalisht që “Smart City” të mos mbetej vetëm një ide ambicioze, por të shndërrohet në një kapacitet real operacional në shërbim të sigurisë publike.
"Sepse ekzistojnë projekte që ndërtojnë infrastruktura, projekte që modernizojnë administrata, por ka edhe projekte që ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si një shtet garanton sigurinë e qytetarëve të tij. “Smart City” është pikërisht një projekt i tillë, sepse prek çdo dimension të sigurisë sonë, prek:
-sigurinë publike, duke rritur ndjeshëm aftësinë e Policisë së Shtetit për të parandaluar veprimtaritë e paligjshme dhe për të reaguar në kohë rekord ndaj çdo situate;
-sigurinë në shkolla, duke krijuar një mjedis plotësisht të mbrojtur për nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Mbrojtja e fëmijëve tanë është një përgjegjësi absolute që nuk pranon asnjë kompromis;
-sigurinë rrugore, përmes monitorimit në kohë reale të sjelljes së drejtuesve të mjeteve, evidentimit të shkeljeve dhe ndërhyrjes proaktive për të ulur rrezikun e aksidenteve dhe për të mbrojtur jetën;
-luftën kundër kriminalitetit, duke fuqizuar kapacitetet tona hetimore përmes teknologjisë moderne, analizës së të dhënave dhe përdorimit të informacionit inteligjent;
-forcimin e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe monitorimin e kufirit të gjelbër, duke rritur efektivitetin tonë kundër krimit ndërkufitar, migracionit të paligjshëm dhe çdo veprimtarie që cenon sigurinë kombëtare", është shprehur kryepolici Skënder Hita.
Për të, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ky projekt është një investim strategjik që përfaqëson një filozofi të re policimi duke i dhënë Policisë më shumë mundësi për të mbrojtur jetën, pronën dhe rendin publik.
"Por, mbi të gjitha, kemi zgjedhur të investojmë te besimi i qytetarëve. Siguria nuk matet asnjëherë thjesht me statistika të ftohta, por me ndjenjën e qetësisë dhe sigurisë që çdo qytetar përjeton në lagjen e tij, në rrugë, në shkollë dhe në komunitetin ku jeton.
Jam plotësisht i bindur se, me mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të partnerëve tanë projekti “Smart City” do të shndërrohet në një model suksesi që do t’i shërbejë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj për shumë vite me radhë", u shpreh ai.
Kryepolici Skënder Hita garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë ta zhvillojë këtë projekt me përkushtim të plotë, duke integruar teknologjinë më të fundit me profesionalizmin e punonjësve të vetë dhe duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet përgjegjëse.
