Policia bëri me dije mbrëmjen e sotme se gjashtë persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë, pasi akuzohen për përfshirje në trafik droge, mashtrim dhe pastrim parash.
Të ekstraduarit janë:
Kristo Qirici alias Jetmir Hoxha alias Jetmir Qirici, Ilir Lazri alias Ilir Sula, Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj
Shkëlzen Kraja, Devit Patrut alias Elidon Skendaj alias Devid Boraj alias Fatmir Pepaj, M. C., i akuzuar për mashtrim kompjuterik.
Mësohet se mes të ekstraduarve është edhe Kristo Qirici, vëllai i biznesmenit Edmond Papa, i vrarë në zonën e Komunës së Parisit më 16 dhjetor 2022, dhe Aleks Pepa, i cili dy javë më parë u arrestua nga policia në lidhje me ndërtimet pa leje në Sarandë.
Qirici u shpall në kërkim nga SPAK në mars të vitit 2025, pas goditjes së grupit kriminal që dyshohet se drejtohej prej tij. Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi i 44-vjeçarit trafikonte sasi të mëdha droge drejt Greqisë. Po ashtu, si pjesë e këtij grupi rezultojnë të përfshirë edhe katër shefa komisariatesh policie.
Gjithashtu, në vendin tonë është sjellë edhe Aleks Pepaj, vëllai i biznesmenit të shpallur në kërkim Mir Pepa. Grupi kriminal, i përbërë prej më shumë se 10 personash, udhëhiqej nga katër vëllezërit: Jetmir, Aleks (i njohur ndryshe si Shkëlqim), Urim dhe Lekë Pepa.
Sipas raportimeve, grupi kriminal vepronte nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe Aleksi është dhunuar barbarisht nga i vëllai pas humbjes së një sasie droge.
Shkëlzen Kraja dhe Devit Patrut akuzohen për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Ndërsa Ilir Lazri alias Ilir Sula akuzohet për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, dhe M. C. për mashtrim kompjuterik, gjithashtu në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
