Granit Pepnikaj, një person i konsideruar si "truri" i mashtrimit të qytetarëve europianë përmes qendrave telefonike që rëndom njihen si "call center", është arrestuar në një rezidencë luksoze në jug të vendit, në Dhërmi.
Ky shtetas u shpall në kërkim pasi gjatë operacionit të Policisë së Shtetit me autoritetet austriake, mundi të arratisej. Prej disa javësh ai fshihej në rezidencën "Olea" në plazhin e Dhërmiut, derisa është lokalizuar dhe prangosur sot.
Operacioni i drejtuar nga Prokuroria e Tiranës në muajin Prill 2026, është shtrirë në disa ambiente të përshtatura si call center, të vendosura në zona të ndryshme të Tiranës. Dy prej tyre ndodheshin në një kompleks biznesi në Rrugën e Kavajës, ndërsa një tjetër në afërsi të Kopshtit Zoologjik.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga autoritetet, është sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash, rreth 1 milion euro cash, e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Hetimet paraprake tregojnë se skema mashtruese kishte në shënjestër shtetas të huaj, përfshirë qytetarë nga Austria, Italia, Spanja, Greqia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët dyshohet se janë mashtruar përmes metodave të ndryshme telefonike.
Granit Pepnikaj akuzohet se është "truri" i kësaj skeme mashtrimi dhe Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg". Dëmi që u është shkaktuar qytetarëve europianë prej grupit të tij, përllogaritet në 50 milionë euro.
Shërbimet e Policisë së Shtetit pritet të bëjnë shoqërimin e të riut me origjinë nga Tropoja, drejt Tiranës, ku do të bëhet verifikimi i masës së sigurisë nga togat e zeza, e më pas Granit Pepnikaj do të dërgohet në qeli
