Anglia ka siguruar vendin e saj në raundin e 16-tave dhe është gati të përballet me Meksikën të hënën, mirëpo ndeshjet e Kupës së Botës këtë vit kanë qenë shumë të vështira për tifozët deri tani - dhe jo vetëm për shkak të kundërshtarëve.
Diferenca e madhe e orareve me Europën ka bërë që të hënën, në Angli, shkollat të lejojnë fëmijët që të shkojnë me vonesë sepse Tre Luanët do të luajnë kundër bashkë-organizatorëve të Meksikës në orën 1 të mëngjesit.
Nëse ndeshja shkon në penallti, ajo mund të zgjasë deri gati në orën 4 të mëngjesit, ndaj disa shkolla kanë vendosur t’i lejojnë nxënësit e tyre të shkojnë me vonesë pas ndeshjes.
Sindikata Kombëtare e Arsimit (NEU) ka mbështetur planet për t'i lejuar nxënësit të fillojnë më vonë, me sekretarin e përgjithshëm Daniel Kebede që e përshkroi ndeshjen si një "ngjarje të rëndësishme në kalendarin tonë".
Trajneri Thomas Tuchel madje u bëri thirrje prindërve që t’i lënë fëmijët e tyre të flenë të hënën në mëngjes, në mënyrë që të qëndrojnë zgjuar deri vonë për të parë heronjtë e tyre duke luajtur.
"Shkruani një justifikim për shkollën dhe lërini të shikojnë futboll. Ata kanë shumë shkollë për të shkuar, por Kupa e Botës është çdo katër vjet", është shprehur ai, duke theksuar se ndeshja e Anglisë përballë Meksikës do të jetë shumë e madhe dhe kombëtarja ka nevojë për mbështetje.
