Granit Pepnikaj, një person i konsideruar si "truri" i mashtrimit të qytetarëve europianë përmes qendrave telefonike që rëndom njihen si "call center", është arrestuar në një rezidencë luksoze në jug të vendit, në Drimadhë.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas ndjekjes me metoda proaktive, ndërsa veç 29 vjeçarit janë ndaluar dhe dy persona të tjerë.
Në kuadër të operacionit të koduar "Rrjetet", mesditën e sotme, në zonën e Drimadhës, u kapën shtetasit Granit Pepnikaj, 29 vjeç, dhe Xhoni Hitaj, 31 vjeç, të shpallur në kërkim.
Shtetasi Granit Pepnikaj, 29 vjeç, kërkohej pasi, me vendim të datës 30.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", si i dyshuar për veprën penale "Mashtrimi kompjuterik".
Shtetasi Xhoni Hitaj, 31 vjeç, kërkohej pasi, me vendim të datës 13.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", si i dyshuar për veprën penale "Mashtrimi kompjuterik".
Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku qëndronin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, si dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Në momentin e arrestimit të këtyre shtetasve u kap dhe u arrestua në flagrancë, për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit", shtetasi Redion Rexhmati, 28 vjeç, banues në Tiranë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

