Policia e Kukësit ka arrestuar dy persona, babë e bir, të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Vlahën.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë shtetasit Rrustem Ukaj, 70 vjeç, dhe Besmir Ukaj, 34 vjeç, të dy banues në fshatin Vlahën. Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe djali tjetër i 70-vjeçarit, shtetasi A. U., 44 vjeç.
Gjithashtu, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Rr. S., 58 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Vlahën, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjatë operacionit, shërbimet e policisë sekuestruan municion luftarak, si dhe 5 metra fitil zjarrpërcjellës, të cilat u gjetën gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarve.
Parcela me kanabis, 1874 bimë, u zbulua nga shërbimet e policisë në njësinë administrative Golaj, në territorin e fshatit Vlahen, ku një pjesë e tyre u asgjësuan me djegie.
Njoftimi i Policisë:
Qarku Kukës / Vijon operacioni i koduar "Territor i Pastër", kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Goditet 1 rast i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Vlahën.
Identifikohen 3 shtetas si autorë të dyshuar të rastit (babai dhe 2 djemtë). Vihen në pranga 2 nga këta shtetas, punohet për kapjen e tjetrit.
Sekuestrohen municion luftarak dhe 5 m fitil zjarrpërcjellës, që u gjetën në banesën e tyre.
Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Vlahën, për shpërdorim detyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Qaf Prush, kanë vijuar me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e bashkisë Has, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, në njësinë administrative Golaj, në territorin e fshatit Vlahen, u konstatuan të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie.
Në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan si autorë të dyshuar, shtetasit Rr. U ., 70 vjeç dhe B. U., 34 vjeç (babë dhe bir), banues në fshatin Vlahën, si dhe u shpall në kërkim djali tjetër i 70-vjeçarit, shtetasi A. U., 44 vjeç.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Rr. S., 58 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Vlahën, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Kukës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtrisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
