Një ngjarje tragjike ka ndodhur në një familje në Kavajë, ku vëllai ka vrarë vëllanë me thikë.
Sipas informacioneve paraprake, dy vëllezërit janë përfshirë në një konflikt, i cili ka degraduar deri në përdorimin e thikës. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka humbur jetën.
Policia bën me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:30 në fshatin Agonas të Kavajës, ku dy vëllezërit, Muhamet Rreshka, 76 vjeç, dhe Eqerem Rreshka, 74 vjeç, ndodheshin në arë duke punuar për mbledhjen e bazës ushqimore për blegtorinë.
Për motive ende të paqarta mes tyre ka nisur një konflikt, i cili ka përfunduar në dhunë. Gjatë përplasjes, 76-vjeçari ka nxjerrë një mjet prerës (thikë) dhe ka goditur disa herë vëllain e tij.
I plagosuri është transportuar me urgjencë nga familjarët dhe dëshmitarët drejt spitalit, por për shkak të plagëve të marra dhe humbjes së madhe të gjakut, 74-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë gjatë rrugës.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë bërë të mundur arrestimin e 76-vjeçarit.
